Regjistri i Elektronik i Koncesioneve/PPP

Regjistri i Elektronik i Koncesioneve/PPP

Një nga risitë që solli ndryshimi i fundit i ligjit për koncesionet, në gusht të 2015, ka qenë vendimi që regjistri elektronik i koncesioneve dhe partneritetit publik privat, PPP, të administrohet nga Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve (ATRAKO). Për të bërë të mundur realizimin e tij, me propozim të Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin nr. 211 datë 16.03.2016, “Për krijimin dhe administrimin e regjistrit elektronik të koncesioneve dhe partneritetit publik privat”. Sipas këtij vendimi institucioni që do të formatojë dhe administrojë Regjistrin e Koncesioneve/PPP është ATRAKO.
Njëherësh Vendimi i Këshillit të Ministrave ngarkon ministritë e linjës dhe njësitë e qeverisjes vendore, që brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e tij, pranë ATRAKO-s, të depozitohen për regjistrim të gjithë kontratat e koncesioneve apo partneritetit publik privat.
Vendimi cilëson se për çdo kontratë të re të nënshkruar, ministritë e linjës dhe njësitë e qeverisjes vendore, duhet ta raportojnë brenda 15 ditëve, pranë ATRAKO-s.
Aktualisht ATRAKO, është duke bashkëpunuar me ministritë e linjës dhe bashkitë, për mbledhjen e të gjitha informacionet që do të përfshihen në regjistrin elektronik.
Me hedhjen e të dhënave në këtë regjistër do të mundësohet për herë të parë inventari i plotë i kontratave të koncesionit dhe partneritetit publik privat. Nëpërmjet regjistrit elektronik të koncesioneve dhe partneritetit publik privat synohet të krijohet një bazë unike të dhënash shtetërore elektronike të të gjithë kontratave të koncesionit dhe të partneritetit publik privat, të dhëna në Republikën e Shqipërisë.
Në këtë regjistër do të përfshihen të gjithë kontratat e koncesionit dhe partneritetit publik privat, të nënshkruara nga autoritetet kontraktuese, të cilat janë të detyruara të raportojnë, brenda 15 ditëve pas lidhjes së tyre, në Agjencinë e Trajtimit të Koncesioneve. Koncesioni bëhet efektive në regjistër, vetëm pasi nënshkruhet kontrata mes palëve.
Për të marrë informacion më të detajuar dhe të përditësuar mbi kontratat e Koncesionit/PPP ju lutem klikoni këtu…